Follow us on:

Hapet Konsullata e përbashkët Kosovë-Shqipëri në Mynih të Bavarisë

Mynih, 19 tetor 2016 – Ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ai i punëve të jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, kanë përuruar Konsullatën e përbashkët të të dyja shteteve në Mynih të Gjermanisë.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shumtë të institucioneve vendore, përfaqësues të Konsullatave të shteteve të ndryshme të akredituara në Mynih, një numri të madh të bashkatdhetarëve nga Kosova e Shqipëria dhe në prezencën e Rifat Jasharit nga familja e madhe e Jasharajve.

Në fjalën e tij, ministri Hoxhaj ka falënderuar Rifat Jasharin për praninë e tij, duke thënë se pa sakrificën e familjes Jashari, asgjë nuk do të ishte e mundur, as shteti i Kosovës e as Konsullata e Përbashkët. “As unë si ministër i jashtëm i Kosovës, as ministri i jashtëm i Shqipërisë, por askush tjetër nuk do të ishte këtu në këtë Konsullatë, pa rolin dhe kontributin e Bacës Rifat dhe familjes Jashari. Këto janë dëshmia më e mirë se sa rrugë të gjatë kanë bërë shqiptarët, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri për ta bërë një shtet të pavarur të Kosovës, që ka qenë projekt i krejt shqiptarëve, edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ne do të hapim edhe Ambasada e Konsullata të tjera të përbashkëta, por prania e Bacës Rifat i jep një kuptim tjetër kësaj konsullate” ka thënë Ministri Hoxhaj.

Ministri Bushati ka falënderuar ministrin Hoxhaj për mundësinë që edhe Shqipëria të përfaqësohet nga sot me shërbime konsullore në Konsullatën e përbashkët, duke paralajmëruar edhe aktivitete të ardhshme të këtij karakteri.

Nga ana tjetër, e pranishme në këtë ngjarje, ministrja e Bavarisë për Çështje Evropiane, Beate Merk ka falënderuar të pranishmit dhe është shprehur e lumtur që në Bavari po hapet një Konsullatë e përbashkët Kosovë-Shqipëri, e cila do të jetë promotore edhe e bashkëpunimit në shumë fusha të tjera ndërmjet këtyre dy vendeve dhe Bavarisë.