Follow us on:

Migrimi qarkor: mundësitë, sfidat, përvojat

Mynih, 22 tetor 2017 - Shoqëria e Akademikëve Shqiptarë “DIJA e.V” nga Mynihu, në bashkëpunim me Institutin shkencor “Alb-Shkenca”, mbajti aktivitetin tradicional “Takimet e Mynihut”, në kuadër të të cilit u organizua simpoziumi me temën: “Migrimi qarkor: mundësitë, sfidat, përvojat”.

Në këtë aktivitet, pjesëmarrës nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Mynih ishte Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Naser Idrizi, i cili përveç fjalës përshëndetëse, ishte edhe pjesë e panelit diskutues.

 

Pjesëmarrës me ligjërata dhe diskutim ishin edhe: Dashnor Ibra, Konsull i Republikës së Shqipërisë, Eshref Januzaj nga Shoqëria e akademikëve shqiptarë DIJA e.V., prof. Dr. Bashkim Ziberi nga Universiteti i Tetovës dhe  Xhelal Dërguti nga GIZ-i gjerman (Prishtinë).

 

Konsulli i Përgjithshëm Idrizi, gjatë diskutimit në panel, veçoi edhe një herë të arriturat e shtetit të Kosovës dhe theksoi se mërgata është po aq e rëndësishme për shtetin e Kosovës, sa janë edhe pasuritë e saja nëntokësore. Ai kërkoi që organizimeve të tilla t'u bëhet një reklamim edhe më i madh, pasi që paraqesin një forum të rëndësishëm për të diskutuar tema me rëndësi për komunitetin tonë.

 

Në vazhdim i informoi të pranishmit për arritjet, marrëveshjeve me qytetin e Erfutit (IHK), shoqatën e ndërtimtareve të Bayernit dhe me fondacionin Besa dhe me GIZ, si dhe dy  ministrit (Bayernit dhe RKS-ës) e punës dhe mirëqenie sociale, për ardhjen e qytetarëve tanë në Gjermani për t’u aftësuar apo marrjen e përvojave të shkollimit profesional.

 

Konsulli i Republikës së Shqipërisë, z. Dashnor Ibra vlerësoi punën e Shoqërisë ”DIJA” dhe foli për strategjinë e Qeverisë së Shqipërisë në përpjekjet e integrimit sa më të madh të mërgatës dhe Diasporës në rrjedhat e zhvillimit të Shqipërisë. 

 

Në fjalën e tij, Prof. Dr. Bashkim Ziberi, që në këtë simpozium përfaqësonte Institutin "Alb-Shkenca", foli për sfidat e ri integrimit të atyre që kthehen nga Diaspora si dhe dha propozime konkrete për koncipimin e proceseve mbështetëse të atyre që kthehen në vendet e origjinës.

 

Për mundësitë e përkrahjes institucionale nga GIZ-i gjerman përmes programeve të tyre të ndryshme për riatdhesim dhe ndihmesës në projekte të kthimit të përkohshëm në Kosovë apo Shqipëri, foli në detaje z. Xhelal Derguti.

 

Në diskutimet mjaft të frytshme të të pranishmëve u fol për problemet reale me të cilat ballafaqohet Diaspora në përpjekjet e veta për t'u kyçur në zhvillimin e vendeve tona, si dhe u dhanë edhe ide dhe propozime konkrete për veprimet në të ardhmen