Follow us on:

Vizat për shtetasit e huaj

Republika e Kosovës nuk aplikon ende një regjim vizash për shtetasit e huaj. Çdo shtetas i huaj mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës me një dokument udhëtimi të vlefshëm, duke paraqitur dëshmi lidhur me mbulimin e shpenzimeve të jetesës për periudhën e qëndrimit si dhe arsyet e vizitës në Kosovë. Policia kufitare ka përgjegjësi ta kthejë shtetasin në rast dyshimi të arsyeshëm lidhur me dokumentacionin ose arsyet e hyrjes në Kosovë.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, Policia Kufitare mund të pengojë hyrjen e një shtetasi të huaj nëse vërehen:

- Mos plotësim i kushteve nga neni 4 i Ligjit për të Huaj;
- Mos posedim i mjeteve të mjaftueshme për jetesë gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës si dhe për kthim në shtetin nga ka ardhur apo për udhëtim në vendin e tretë;
- Mos plotësim i kushteve për hyrje në shtetin e tretë, në rast se udhëton transit nëpër Kosovë;
- Ekzistimi i ndonjë urdhri deportimi me ndalesë për ri-hyrje;
- Mos posedim i vërtetimit për vaksinimin, (për rastet kur shtetasi i huaj vjen nga zona ku mbretëron epidemia e sëmundjeve ngjitëse);
- Shenja që cenojnë mbrojtjen e rendit juridik, sigurisë kombëtare apo shëndetit publik;
- Të dhëna se qëndrimi i shtetasit të huaj mund të jetë i lidhur me kryerjen e veprave penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare;

Në rastet kur shtetasit tonë ftojnë shtetas të huaj për vizitë private në Kosovë, atëherë shtetasi ynë duhet që 10 ditë para se të arrijë i ftuari i tij të paraqesë në policinë kufitare një letër garantuese e cila duhet të jetë e vulosur nga Gjykata Komunale Kompetente.

Në raste të vizitave biznesore duhet të paraqitet gjithashtu dhe dokumentacioni përkatës lidhur me biznesin që shtetasi i huaj do të zhvillojë në Kosovë ose kopja e certifikatës së biznesit e kompanisë që dërgon ftesën.

Shtetasi i huaj ka të drejtë qëndrimi në Kosovë vetëm 90 ditë. Pas 90 ditësh duhet të lajmërohet në Drejtorinë për të Huaj në Policinë e Kosovës, në të kundërt, qëndrimi i tij do të trajtohet si qëndrim i jashtëligjshëm.