Follow us on:

Samiti për biznes SHBA-Ballkan

Të martën, më 7 dhjetor 2010, ambasadori i Kosovës në SHBA Avni Spahiu mori pjesë në një takimin në Annapolis të Maryland-it, me rastin e Samitit të parë për Biznes SHBA - Ballkan, që do të mbahet në pranverë të vitit 2011 në Baltimore. Samiti organizohet nga shteti amerikan i Maryland-it, Aleanca për Biznes SHBA-Ballkan dhe Porti i Baltimore-it. Ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të akredituar në Uashington, Sekretari i Maryland-it, John McDonough, përfaqësues të Departamentit të Shtetit, si dhe rreth 40 kompani dhe organizata të njohura amerikane morën pjesë në këtë takim.

Duke folur para të pranishmëve, ambasadori Avni Spahiu tha se Kosova është e përkushtuar për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpritja e bizneseve amerikane në Kosovë do të mbetet prioritet i yni kryesor, tha ai. Ambasadori Spahiu theksoi se Qeveria e Kosovës do të mbetet e fokusuar në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe investimeve në Kosovë.

Qëllimi i këtij para-takimi të Samitit ishte ofrimi i informacionit të detajuar mbi mundësitë e investimeve në Ballkanin Perëndimor për kompanitë amerikane. Samiti i vitit të ardhshëm do të sjellë së bashku shumë kompani nga SHBA dhe Ballkani, si dhe një nivel të lartë delegacionesh politike nga rajoni.

President Aleancës për Biznes SHBA-Ballkan, Charles Dillon, pohoi se disa nga kompanitë më të mira nga e gjithë Amerika ishin të pranishme në takim për të mësuar më shumë për mundësitë e ofruara nga rajoni. Samiti ekonomik për Ballkanin Perëndimor dhe Shtetet e Bashkuara do të mbahet më 23 dhe 24 mars 2011 në Baltimore. Për më shumë informacion ju lutem vizitoni faqen zyrtare të internetit në http://www.usbalkanssummit.com